Qeveria vendos: Operatorët e transportit të udhëtarëve, tarifë 200 lekë për pasagjer për transmetimin e të dhënave

Qeveria ka miratuar një vendim që detyron operatorët ekonomikë të transportit tokësor, ajror dhe ujor të udhëtarëve që të paguajnë një tarifë me vlerë 200 lekë për pasagjer, për transferimin e të dhënave të udhëtarëve në sistemet e Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimit.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe përcakton rregullat, masën, përjashtimet dhe procedurën për mbledhjen dhe administrimin e tarifës për transmetimin e informacionit të udhëtimit në sistemet e Sektorit të Inteligjencës së Udhëtimit. Ky vendim zbatohet për të gjithë transportuesit tokësorë, ajrorë dhe ujorë që operojnë në territorin e Shqipërisë.

Tarifa për këtë shërbim është vendosur në 200 lekë për pasagjer për vitin e parë, ndërsa pas kësaj periudhe do të rishikohet çdo 3 vjet, në bazë të kostove reale të shërbimit. Të ardhurat do të përdoren për mbulimin e kostove të transmetimit, transformimit dhe sigurimit të informacionit të udhëtimit.

Sipas vendimit transportuesit do të raportojnë çdo muaj numrin e pasagjerëve të transportuar, ndërsa operatori ekonomik do të lëshojë faturat përkatëse për pagesën e tarifës. Janë përcaktuar edhe përjashtime nga tarifa, si për pasagjerët nën moshën 2 vjeç, udhëtimet humanitare dhe transportet shtetërore të misioneve emergjente.

Në rastet e defekteve teknike apo situatave të jashtëzakonshme, transportuesit përjashtohen nga sanksionet administrative.

Ky vendim hyri në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare dhe do të zbatohet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit.

V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR PËRPUNIMIN E TË DHËNAVE TË UDHËTIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës e të neneve 4, pika 6, 5, pika 13, 9,   pika 3, 10, pika 4, 15, pika 6, 16, pika 4, 17, pika 3, 18, pikat 3 e 4, 19, pika 3, 20, pika 5, dhe 21, pika 3, të ligjit nr.38/2025, “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për përpunimin e të dhënave të udhëtimit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.954, datë 2.12.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për përpunimin e të dhënave të pasagjerit”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Byroja Kombëtare e Hetimit, Shërbimi Informativ i Shtetit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe Policia Ushtarake për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Artikuj të ngjashëm

Të Gjitha