Tatimet publikojnë listën e pagave të referencës në mjekësi dhe estetikë, paralajmërohen kontrolle

Tatimet publikojnë pagat e referencës në sektorin mjekësor dhe atë të estetikës. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, të publikuar në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në internet, njoftohen të gjithë tatimpaguesit se është publikuar lista e pagave indikative për profesionet që operojnë në këta sektorë.

“Kjo listë do të shërbejë si një instrument referues për analizën e riskut, me qëllim identifikimin e rasteve të mundshme të mosdeklarimit të pagave reale të punonjësve.

Në këtë kuadër, Administrata Tatimore do të analizojë të dhënat e deklaruara në listëpagesat e subjekteve që operojnë në këto sektorë, duke i krahasuar ato me nivelet indikative të pagave sipas profesioneve përkatëse”, deklarojnë Tatimet.

Tatimpaguesit që deklarojnë paga nën nivelin e pagave indikative për profesionet përkatëse, apo që ndryshojnë kategorizimin e profesionit të punonjësit me qëllim deklarimin e një page më të ulët, do të konsiderohen me risk dhe do të jenë objekt verifikimi nga strukturat e specializuara të Administratës Tatimore.

Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të deklarojnë në mënyrë të saktë pagat reale të punonjësve në sektorin mjekësor dhe estetik në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.

Masat për deklarimin e saktë të pagave synojnë rritjen e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, me qëllim sigurimin e pensioneve dinjitoze për punonjësit e sektorit të mjekësisë dhe të kujdesit personal (estetikë).

 

file:///C:/Users/aurora.sulce/Downloads/Pagat%20Indikative%20ne%20sektorin%20mjeke%CC%88sor%20dhe%20kujdesit%20personal%20M%20(2).pdf

 

Artikuj të ngjashëm

Të Gjitha