Administrata Tatimore ka hapur zyrtarisht procesin e aplikimit për Marrëveshjen e Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026, duke u dhënë mundësi bizneseve dhe tatimpaguesve të regjistruar si persona fizikë apo entitete të aplikojnë online përmes sistemit “e-filing”.
Sipas njoftimit zyrtar, aplikimet do të pranohen nga data 15 maj deri më 5 qershor 2026, ndërsa procesi synon tatimpaguesit që janë subjekt i Tatimit mbi të Ardhurat e Korporatave dhe Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi.
Për të përfituar nga kjo marrëveshje, subjektet duhet të plotësojnë një sërë kriteresh ligjore. Mes tyre përfshihet ushtrimi i aktivitetit ekonomik në Shqipëri, realizimi i të ardhurave bruto mbi 14 milionë lekë gjatë vitit të kaluar tatimor, mungesa e detyrimeve të papaguara apo të padeklaruara, si edhe mungesa e proceseve të ankimit administrativ ose hetimeve penale në fushën tatimore.
Administrata Tatimore sqaron se nuk do të pranohen subjekte që janë dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrim tatimor, pastrim parash apo fshehje të ardhurash, si edhe ato që realizojnë projekte koncesionare.

