Ligji për fiskalizimin do të pësojë ndryshime, që synojnë të rrisin kontrollin dhe gjurmueshmërinë e transaksioneve.
Konkretisht, ndryshimet në projektligjin për “Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, depozituar për diskutim në komisionet parlamentare, synojnë të saktësojnë nivelin e identifikimit dhe të gjurmueshmërisë së transaksioneve, duke kërkuar që faturat e shitjeve në rastin e eksportimit të mallrave, kur blerësi është individ, përveçse emrit, mbiemrit dhe adresës, të përfshijë edhe numrin personal të identifikimit (ID) të blerësit. Qëllimi në këtë rast është saktësimi i identifikimit të blerësve të huaj.
Përfshirja e numrit personal të identifikimit (ID) në faturë siguron identifikim të qartë dhe unik të individit, shmang pasaktësitë në procesin e raportimit, si dhe lehtëson verifikimin nga autoritetet tatimore e doganore në rastet e kontrolleve apo hetimeve të mëvonshme.

