Projektvendim i ri për funksionimit të tregut të produkteve të peshkimit dhe akuakulturës

Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektvendimin “Për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Tregut të Produkteve të Peshkimit dhe Akuakulturës dhe për Miratimin e formës dhe përmbajtjes së Planeve të Prodhimit dhe Marketingut”.

Ky projektvendim ka për qëllim transpozimin në legjislacionin kombëtar të dispozitave të Rregullores (BE) Nr. 1379/2013 mbi organizimin e përbashkët të tregjeve të produkteve të peshkimit dhe akuakulturës, duke krijuar një kuadër të qartë dhe të qëndrueshëm për funksionimin e tregut në këtë sektor.

Përmes miratimit të këtij vendimi synohet garantimi i konkurrencës së ndershme dhe i transparencës në tregje, përmes vendosjes së standardeve të përbashkëta të tregtimit dhe rregullave të detajuara mbi informimin e konsumatorëve për origjinën, mënyrën e prodhimit dhe kategorinë cilësore të produkteve.

Një tjetër objektiv është forcimi i rolit të organizatave të prodhuesve dhe shoqatave të tyre, si instrumenta kryesorë për menaxhimin e ofertës, stabilizimin e çmimeve, rritjen e të ardhurave të peshkatarëve dhe operatorëve të akuakulturës, si dhe përmirësimin e kapaciteteve të tyre negociuese në treg. Nëpërmjet rritjes së transparencës dhe etiketimit të detajuar të produkteve, konsumatoret do të kenë mundësi të bëjnë zgjedhje të ndërgjegjshme dhe të sigurt.

Gjithashtu, miratimi i këtij akti siguron harmonizimin e politikave kombëtare të acquis së BE-së duke përmbushur angazhimet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe duke ndërtuar themelet për pjesëmarrjen në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.

 

https://konsultimipublik.gov.al/documents/RENJK_921_PROJEKT-VENDIM-tregjet-KP.docx

https://konsultimipublik.gov.al/documents/RENJK_921_Relacion-per-publikim-KP.docx

Artikuj të ngjashëm

Të Gjitha