Projektligji “Për Byrotë e Kreditit” ka për objekt krijimin, licencimin dhe funksionimin e byrove të kreditit në Republikën e Shqipërisë, si dhe përcaktimin e rregullave për përpunimin e të dhënave në veprimtarinë e raportimit kreditor.
Qëllimi i tij është të sigurojë disponueshmërinë e informacionit të besueshëm kreditor, të garantojë një vlerësim të saktë dhe të rregullt të besueshmërisë kreditore të personave fizikë dhe juridikë, si dhe të kontribuojë në nxitjen e kredidhënies dhe kredimarrjes së ndershme e të përgjegjshme.
Projektligji synon gjithashtu të nxisë zhvillimin e një tregu të shëndoshë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës për marrëveshjet e kredisë, duke krijuar kushtet e nevojshme për rritjen e aksesit në kredi dhe në shërbime financiare për individët dhe bizneset, si dhe duke nxitur përmbushjen e përgjegjshme të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e kredisë nga të gjitha palët në këto marrëdhënie.
Në mungesë të një sistemi të standardizuar, institucionet financiare përballen me vështirësi në vlerësimin e besueshmërisë së klientëve, çka shpesh çon në rritje të kostove të kredisë dhe përjashtim të individëve dhe bizneseve nga tregu financiar.

